Reuters: SHBA dhe Ukraina përgatiten të nënshkruajnë marrëveshjen për mineralet

Administrata e Presidentit të SHBA Donald Trump dhe Ukraina planifikojnë të nënshkruajnë marrëveshjen e shumë debatuar për mineralet.

Kjo vjen  pas një takimi të tensionuar në Zyrën Ovale të premten, thanë të martën katër persona të njohur me situatën, raporton Reuters.

Presidenti Donald Trump u ka thënë këshilltarëve të tij se dëshiron të shpallë marrëveshjen në fjalimin e tij në Kongres të martën në mbrëmje, thanë tre nga burimet, duke paralajmëruar se marrëveshja nuk ishte nënshkruar ende dhe situata mund të ndryshojë.

Si Shtëpia e Bardhë ashtu edhe administrata e presidentit ukrainas nuk iu përgjigjën kërkesës për koment.

Marrëveshja u pezullua të premten pas një takimi të diskutueshëm në Zyrën Ovale midis Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy që rezultoi në largimin e shpejtë të liderit ukrainas nga Shtëpia e Bardhë. Zelenskiy kishte udhëtuar në Uashington për të nënshkruar marrëveshjen.

Në atë takim, Trump dhe Zëvendës Presidenti JD Vance e qortuan Zelenskiy, duke i thënë atij se duhet të falënderojë SHBA-në për mbështetjen e tyre në vend që të kërkojë ndihmë shtesë para mediave amerikane.