Filmi legjendar shqiptar “Ngadhënjim mbi vdekjen” (1967) vjen i restauruar në format 4K, duke rikthyer shkëlqimin e imazhit dhe zërit të kësaj vepre ikonike të kinematografisë shqiptare.
Ky film, realizuar nga regjisorët Gëzim Erebara dhe Piro Milkani me skenar të Peçi Dado, tregon historinë e dy vajzave të reja që u torturuan nga nazistët, por nuk pranuan të tradhtonin lidhjet e tyre me lëvizjen komuniste. Filmi është i bazuar në ngjarjen reale të Bule Naipit dhe Persefoni Kokëdhimës, të interpretuara nga Eglantina Kume dhe Edi Luarasi, ndërsa rolin e oficerit gjerman e luan aktori i madh Naim Frashëri.
Restaurimi i filmit është realizuar nga Augustus Color si pjesë e një projekti të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), me mbështetjen e ABI Bank dhe Harabel Contemporary Art Platform. Ky version i ri do të shfaqet premierë më 25 mars në kinema “Millennium”, me hyrje të lirë për publikun.
Një film me ndikim ndërkombëtar
“Ngadhënjim mbi vdekjen” ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, veçanërisht në Kinë. Në vitet ’60 dhe ’70, gjatë marrëdhënieve të ngushta mes Shqipërisë dhe Kinës, ky film u bë një nga më të dashurit për publikun kinez. Ai u dublua në kinezisht dhe u shfaq gjerësisht në kinematë kineze, duke u bërë një ndër filmat më të suksesshëm të asaj periudhe. Sipas të dhënave, ai mbajti rekordin e shitjes së biletave në Kinë deri në fillim të viteve ’90, kur u tejkalua nga filmi hollivudian “The Fugitive” me Harrison Ford dhe Tommy Lee Jones.
Gjithashtu, ky film ka ndikuar në ruajtjen e instrumenteve muzikore në Kinë gjatë Revolucionit Kulturor, pasi personazhi i Rikard Ljarjes, një partizan i ri, shfaqet duke mbajtur një kitare akustike dhe kënduar këngë partizane. Thuhet se për shkak të këtij filmi, Byroja Komuniste Kineze vendosi të mos shkatërronte kitarat gjatë fushatës së saj për të eliminuar ndikimet “perëndimore”.
Restaurimi i këtij filmi i rikthen publikut një nga veprat më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare, e cila vazhdon të mbetet një simbol i rezistencës dhe sakrificës.