Reshjet e dendura të shiut në Lezhë, Ndreu: Situatë e vështirë, u rrezikua edhe një shtëpi
Reshjet e dendura të shiut gjatë mbrëmjes së mërkurë në Lezhë kanë shkaktuar përmbytje në disa zona. Ato ishin të përqëndruara kryesisht në fshatin Fishtë, aty ku u bllokuan rrugë dhe u rrezikuan banesa dhe familje.
Në lidhje më këtë situatë, ka folur sot kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili theksoi se ishte një situatë e vështirë, por që forcat e emergjencave dhe të bashkisë ndërhynë duke bërë të mundur të mos ketë pasoja në njerëz.
“Ka qenë një situatë e vështirë, por që, pikë së pari, forcat e emergjencave dhe të bashkisë kanë qenë prezent, edhe bordi i kullimit, dhe kanë bërë të mundur të mos ketë pasoja në njerëz një herë, sepse na u rrezikua edhe një shtëpi. Gjithsesi ka shumë punë për të bërë, po bashkë me emergjencat, me bordin e kullimit do të vlerësojmë të gjitha gjërat dhe do japim me projekt se çfarë duhet të riparohet dhe faturën financiare që duhet”, tha Ndreu.
Ndërkohë gjatë ditës së sotme uji është tërhequr, ndërsa autoritetet janë në terren për të parë nga afër dëmet e shkaktuara.