Reshjet e dëborës paralizojnë Shqipërinë! ARRSH bën thirrje për përdorimin e zinxhirëve dhe gomave dimërore në këto akse rrugore

Reshjet e dendura të dëborës kanë përfshirë zonat veriore dhe juglindore të vendit, duke sjellë rënie të ndjeshme temperaturash dhe erëra të forta. ARRSH njofton se të gjitha akset nacionale janë të hapura dhe të qarkullueshme, por në disa segmente me prezencë të madhe dëbore rekomandohet përdorimi i gomave dimërore ose zinxhirëve për të shmangur bllokimet dhe aksidentet.

Akset më problematike:

•Zona Veriore: Vaudejes-Pukë-Fushë Arrëz-Kalimash, Qafë Mali (trashësi deri në 50 cm), Skurraj-Peshkopi, Kukës-Ura e Zapodit, Kukës-Krumë-Kam, Kukës-Bushtricë, Kuben-Vasije, Ura Fanit-Shpal, Shpal-Ura e Repsit.

•Zona Qendrore: Rruga e Dajtit, Qafë Prisk-Qafë Mollë-Bizë, fundi i rrugës Librazhd-Steblevë.

•Zona e Korçës: Qafë Thanë, Qafë Plloçë, Korçë-Dardhë, Korçë-Voskopojë, Korçë-Ersekë, Ersekë-Leskovik.

Grupet e punës janë në terren duke pastruar rrugët dhe shpërndarë kripë për të shmangur ngricat. ARRSH thekson se përdorimi i gomave verore po krijon probleme në qarkullim, duke bllokuar rrugët dhe penguar edhe borëpastrueset.

Shoferët duhet të tregohen të kujdesshëm në këto zona, duke respektuar udhëzimet dhe duke pajisur automjetet me zinxhirë dhe goma dimërore për të shmangur bllokimet dhe aksidentet në rrugë.