Reshje të dendura shiu në Gjirokastër/ Përrenjtë malorë vërshojnë në disa akse rrugore, 3 fshatra mbeten pa drita

GJIROKASTËR- Qarku i Gjirokastrës është përfshirë gjithashtu nga reshje të dendura shiu që prej mëngjesit të sotëm duke sjellë edhe problematikat e para. Gjatë natës, në rrugën Lekël-Përmet dhe Kardhiq-Prongji ka pasur vërshime të përrenjve malorë duke sjellë inerte dhe bllokimin e akseve. Mësohet se rruga është liruar në të zbardhur të mëngjesit.

Nga ana tjetër, në bashkinë Memaliaj ka mungesë të energjisë elektrike në Luftinjë, Buz dhe Memaliaj fshat. OSHEE për të mbrojtur konsumatorët dhe kabinat elektrike ka bërë stakime të fiderave në njësitë administrative Frashër dhe Piskovë të bashkisë Përmet. Në bashkinë Gjirokastër ka probleme fideri i Kardhiqit.

Si paraqitet situata deri më tani? 

Shqipëria ka hyrë në ditën e tretë që është pushtuar nga moti i keq me reshje të dendura shiu e erëra të forta. Lezha dhe Shkodra janë dy vendet me më shumë probleme. Sipërfaqja e përmbytur në Shkodër ka shkuar në 1000 ha, ndërsa në Lezhë janë përmbytur lagjet e qytetit. Rrugët janë thuajse të pakalueshme, ndërkohë që uji është futur dhe në hyrjet e pallateve dhe hyrjet e shkollave duke mos lënë nxënësit të futën. Një pjesë e mirë e fshatrave kanë mbetur pa energji elektrike.