Reshje dëbore në Korçë dhe Shkodër, probleme me energjinë në disa zona dhe vështirësi në akset rurale – Qarkullimi në rrugët kryesore…
Reshjet e dëborës gjatë ditës së djeshme dhe natës kanë përfshirë Qarkun e Korçës dhe atë të Shkodrës, duke krijuar probleme të pjesshme në disa zona, ndërsa në akset kryesore nacionale dhe turistike qarkullimi vijon pa pengesa falë ndërhyrjes së subjekteve kontraktore.
Në Qarkun Korçë, trashësia e dëborës në zonat malore varion nga 10 deri në 25 cm, e shoqëruar edhe me erë. Subjektet kontraktore kanë kriposur dhe mirëmbajtur akset kryesore, duke siguruar lëvizjen normale të mjeteve. Bashkitë po vijojnë punën për hapjen e rrugëve dytësore dhe të shesheve në qendrat e qyteteve, pa raportuar problematika.
Ndërkohë, si pasojë e erës janë regjistruar ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike në disa zona: Njësitë Administrative Udënisht e Buçimas në Bashkinë Pogradec, fshati Orman-Çiflig dhe Dardhë në Bashkinë Korçë, si dhe në disa fshatra të Bashkive Maliq dhe Pustec. Janë pa energji edhe 12 fshatra në Njësinë Administrative Proptisht që furnizohen nga Agjencia Elektrike Përrenjas. Grupet e punës janë në terren për të riparuar defektet.
Në Qarkun Shkodër, situata paraqitet më e qetë, me përjashtim të disa segmenteve në rrugën e Iballës në Pukë, ku trashësia e madhe e dëborës ka rënduar qarkullimin. Rruga Bogë-Theth është e hapur, ndërsa në bashkitë Malësi e Madhe, Vau Dejës dhe Shkodër nuk raportohen probleme.
Në Bashkinë Fushë-Arrëz, trashësia e dëborës ka kaluar 30 cm, por rrugët nacionale janë të hapura dhe qarkullimi lejohet vetëm për mjete të pajisura me zinxhirë. Rrugët rurale janë në proces pastrimi për t’u kthyer në normalitet. Në Bashkinë Pukë trashësia e dëborës është rreth 5 cm dhe rrugët janë të hapura.
Strukturat e emergjencës civile dhe prefekturat përkatëse po monitorojnë nga afër situatën në të dy qarqet.