Reportazhi i BBC: Gjyshet shqiptare që sfiduan komunizmin dhe ruajtën recetat e shekujve
Media prestigjioze britanike BBC i ka kushtuar një reportazh kuzhinës tradicionale shqiptare, duke theksuar rolin e gjysheve në ruajtjen dhe përcjelljen e recetave brez pas brezi. Pas dekadash izolimi dhe emigrimi masiv, Shqipëria po i rikthehet rrënjëve të saj kulinare, falë përpjekjeve të këtyre grave që vazhdojnë të ndajnë sekretet e gatimit me gjeneratat e reja.
Një nga figurat kryesore në këtë ringjallje të kuzhinës tradicionale është Tefta Pajenga, 76 vjeçe, e cila drejton një emision gatimi në televizionin shqiptar. Ajo mëson të rinjtë se si të përgatisin pjata tradicionale si japrakët, një gatim me gjethe rrushi të mbushura me oriz dhe erëza, i cili ka një rëndësi të veçantë në kulturën shqiptare.
Humbja dhe ringjallja e traditës
Gjatë regjimit komunist (1946-1991), Shqipëria përjetoi izolim të madh, ndalim të importeve dhe kufizime të rrepta në ushqim. Librat e gatimit u dogjën dhe recetat u përcollën vetëm gojarisht. Pas rënies së komunizmit, emigrimi masiv dhe ndryshimet në stilin e jetesës bënë që shumë receta tradicionale të zbeheshin.
Një tjetër figurë e njohur është Gjyste Bici, 67 vjeçe, e cila ka trashëguar receta shekullore nga gjyshja e saj në Alpet e Veriut. Ajo ka ndihmuar në ruajtjen e këtyre recetave përmes emisioneve televizive dhe librit të saj “Kuzhina e Shqiptarëve të Alpeve”.
Në reportazhin e BBC, përmendet edhe Dallëndyshe Xhahysa, 91 vjeçe, e cila kujton se gjatë diktaturës, ushqimet tradicionale me rëndësi fetare, si hallva për Ramazan apo Pashkë, gatuheshin fshehurazi për shkak të ndalimeve të rrepta.
Teknologjia dhe përhapja e recetave
Në vitet e fundit, teknologjia ka ndihmuar në përhapjen e recetave tradicionale te brezat e rinj. Gjyste Bici ka ndarë recetat e saj në Instagram dhe TikTok, duke u bërë e njohur me video për lakrorin dhe pjata të tjera tradicionale.
Përpjekjet e gjysheve shqiptare për të mbajtur gjallë recetat tradicionale janë një dëshmi e rëndësishme e trashëgimisë kulturore. Falë tyre, gatime të dikurshme po rifitojnë vendin e tyre në kuzhinat moderne, duke siguruar që tradita të mos harrohet.

Screenshot

Screenshot

Screenshot

Screenshot

Screenshot

Screenshot