Replika dhe debate në seancën e fundit të legjislaturës së 10-të! Pritet miratimi i raportit për integrimin

Edhe sot, seanca në Kuvend ka nisur me tensione dhe debate teksa fillimisht u diskutua për cështjen e zjarrit në Elbasan dhe për vendimin e kryeministrit për AKU-në.

Teksa po mbahet seanca e fundit plenare për këtë legjislaturë me një axhendë të ngjeshur, në rend të ditës është miratimi i raportit vjetor të Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian (KKIE) për vitin 2024.

Në këtë raport thuhet se, Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian vazhdon të mbetet organi më lartë këshillimor kombëtar për diskutimin e çështjeve të integrimit evropian, por dhe njëkohësisht një platformë mbarëkombëtare dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë grupet e interesit.

Sa i përket vitit 2025, KKIE do të përqendrojë veprimtarinë në disa drejtime kryesore si nxitja e bashkëpunimit midis forcave politike, institucioneve shtetërore dhe të pavarura, shoqërisë civile dhe grupeve të tjera të interesit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Gjithashtu do të diskutohen edhe projektligjet për markat tregtare, patentat, certifikatat e mbrojtjes shtesë, si dhe ai për rezervat materiale të shtetit. Një tjetër nismë është projektligji për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa.
Në sallën e Kuvendit do të shqyrtohet edhe strategjia kombëtare kundër ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit.

Ndërkaq  Deputetja demokrate Tabaku, teksa mori fjalën e saj, shprehu kritika për faktin se po mbyllin një legjislaturë, gjatë së cilës nuk arritën dakordësi për të mundësuar një proces gjithëpërfshirës integrues.

Sipas saj, opozita s’e ka penguar procesin e integrimit por qeveria. Duke e cilësuar integrimin vetëm në letra, Tabaku tha: “Në këtë legjislaturë kemi dështuar, për t’u ngritur mbi llogoret dhe interesat politike që kishte maxhoranca me çdo ligj ne debat në Komisione. Kemi dështuar për t’i dhënë shqiptarëve një proces gjithëpërfshirës, një proces i mbyllur në sirtarët e qeverisë, që nuk sjell asgjë për shqiptarët. Integrim vetëm në letra nuk i shërben askujt.”

Ndërkohë, deputeti socialist Toni Gogu  është shprehur se integrimi europian është konsensusi më i madh kombëtar që ne kemi.

Gjithashtu edhe deputetja demokrate, Ina Zhupa, kritikoi punën e Komisionit të Posaçëm për Dezinfomimin, duke e cilësuar një klishe të programeve qeverisëse, ku u përjashtua edhe Komisioni i Medias që drejtohet nga opozita.

Zhupa theksoi se duhet të kishte pasur më shumë bashkëpunim me BE dhe NATO për këtë strategji dhe të ishte gjithpërfshirëse, duke e cilësuar atë të Komisionit si një ‘paçavure’.

BE ka hartuar një strategji, ndryshe nga ajo paçavure e strategjisë që keni ju, ajo është gjithpërfshirëse, kurse ju e keni fut një paragraf të vogël”, tha deputetja demokrate.

Deputeti socialist, Erion Braçe, njëkohësisht edhe kryetari i Komisionit të Posaçëm të Dezinformimit lexoi sot në Kuvend raportin e punës njëvjeçare për të analizuar, evidentuar dhe parandaluar ndërhyrjet e huaja që u evidentuan gjatë dëgjesave, analizimeve dhe ekspertimeve të kryera si dhe për Strategjinë Kombëtare, projektligj që pritet të miratohet në Kuvend për të parandaluar dhe goditur këto fenomeve.

Ai shpjegoi se Strategjia Kombëtare e hartuar do shërbejë për parandalimin e këtyre ndërhyrjeve dhe dezinformimit, si dy nga problematikat që cenojnë edhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë.

Braçe evidentoi se Shqipëria është përballur prej vitit 2022 ku është përballur me sulme të huaja, kryesisht kibernetike si ai ndaj institucioneve të ndryshme, deri te Policia dhe Parlamenti, nga grupi i hakerave iranianë. Qëllimi i tyre sipas ligjvënësit, ishte cenimi i sigurisë së vendit nëpërmjet publikimit të informacioneve sekrete. Një prej sulmeve ai evidentoi edhe atë të fundit ndaj Bashkisë së Tiranës.

Në seancë morën pjesë edhe përfaqësues nga BE-ja .

Nuk dihet nëse do ketë ‘dritë jeshile’ për aktin normativ të ndryshimit të buxhetit 2025.

Parlamenti i ri do të mblidhet më 10 shtator me 140 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 11 majit dhe që do të nisin mandatin për katër vitet e ardhshme.