Renzi: Qendrat e emigrantëve në Gjadër të kthehen në burgje për shqiptarët e dënuar në Itali, qeveria Meloni humbi 1 miliard euro

Ish-kryeministri italian, Matteo Renzi, ka propozuar që qendrat e emigrantëve në Gjadër të shndërrohen në burgje për shqiptarët e dënuar në Itali, duke lejuar që ata të kalojnë dënimet pranë familjeve të tyre. Gjatë vizitës së tij në këto qendra, Renzi ka akuzuar qeverinë e Melonit për përdorimin e propagandës dhe humbjen e një miliardi eurosh, që mund të ishin investuar për përfitimet e popullit italian, si përmirësimin e kushteve për punëtorët dhe rritjen e pagave.

Renzi kritikoi gjithashtu numrin e lartë të emigrantëve që ka mbërritur në Itali, duke theksuar se qeveria ka bërë deklarata të pasakta për uljen e këtij numri. Ai e konsideroi këtë si një gabim që mund të dëmtojë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sipas tij, qeveria italiane duhet të përdorë paratë për të përmirësuar ekonominë brenda vendit, dhe jo për financimin e qendrave të emigrantëve jashtë saj.