Rënie e numrit të shpendëve në ujërat e Parkut Kombëtar të Prespës dhe liqenit të Ohrit, por rritje e llojeve
Këtë vit, në ujërat e Parkut Kombëtar të Prespës dhe Liqenit të Ohrit është vënë re një rënie e numrit të shpendëve, krahasuar me vitet e tjera, por ka pasur një shtim të llojeve të tyre. Sipas specialistit të Administratës së Zonave të Mbrojtura, ky ndryshim është i lidhur me ngrohjen globale dhe tërheqjen e ujit në liqenin e Prespës.
Vasil Male, specialist në Administratën e Zonave të Mbrojtura, shpjegoi se deri në janar 2025, numri i shpendëve të ujit ka pësuar një ulje, ndërsa llojet janë rritur. Sipas tij, kjo është pasojë e ngrohjes globale dhe tërheqjes së nivelit të liqenit, duke lënë kallamishtet të ekspozuara dhe të thata.
Në liqenin e Ohrit, janë shtuar tri lloje butakësh ujorë, të cilët pothuajse ishin zhdukur nga këto ujëra. Specialistët nga PPNEA, si Adnand Bego, theksuan se censusi i shpendëve tregoi një numër më të ulët të shpendëve, për shkak të ndryshimeve klimaterike, por gjithashtu një rritje të llojeve të tyre, si zhutraket ranore dhe baltaket, të cilat nuk ishin parë në vitet e kaluara.
Censusi i shpendëve të ujit është përqendruar këtë vit në liqenet e Ohrit, të Prespës, të Gjancit dhe, për herë të parë, edhe në liqenin e Moglicës.