Rëndohet bilanci i viktimave, 2 të vdekura dhe 3 të plagosur, reagon policia

Shkon në dy numri i personave që kanë humbur jetën nga aksidenti në Tiranë. Një nga viktimat raportohet se është një vajzë 25 vjeçare. Ndërsa tre persona kanë mbetur të plagosur.

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 09.03.2023, rreth orës 18:05, shtetasi Q. K., duke drejtuar automjetin, në unazën lindore dyshohet se duke dalë për tek rrethrrotullimi i Tegut, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe automjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga mbikalimi, mbi kofanon e një automjeti tjetër.

Si pasojë kanë humbur jetën dy shtetase femra, si dhe janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore shtetasit Q K., O. K., dhe K. R., të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Mbi rrethanat dhe shkaqet e aksidentit, pas përfundimit të këqyrjes së vendit të ngjarjes, dhe për gjendjen shëndetsore të të dëmtuarve në spital, do të keni njoftim në vijim.