Dosja për grupet kriminale në Elbasan, tashmë në duart e SPAK zbulon se Gjykata e Elbasanit ishte nën kontrollin e Suel Çelës, figurë e njohur dhe peshë kryesore në botën e krimit. Nën urdhërat e Çelës nuk ishte vetëm gjyqtarja Pajtime Fetah, por bosi i krimit rezulton se ka rekrutuar edhe gjyqtaren Enkeleda Kapedani, e njohur ndryshe edhe si gjyqtarja e Tik-Tokut.
Sipas dosjes së SPAK, Suela Çela i ofron një makinë 40 mijë euro gjyqtares Enkeleda Kapedani, e shkarkuar nga Vetingu, në këmbim të tërheqjes së saj nga gara për kryetare të gjykatës, me qëllim që kryetare të zgjidhej Pajtime Fetah, e cila ishte nën komandën e plotë të Çelës. Kapedani e falenderon Çelë, madje shpreh respektin që ka për të, por nuk pranon të tërhiqej nga gara, pasi e konsideronte të rëndësishme karrierën në sistemin e drejtësisë.
Më tej Suel Çela angazhohet bashkë me gjyqtaren Pajtime Fetah dhe kryetarin e gjykatës Zihni Shahu për të kaluar një dosje të tij kriminale për gjykim në duart e Enkeleda Kapedanit, të cilën e konsideron të besueshme dhe në krah të tij. Dosje që i ishte besuar gjyqtarit Tomorr Kullolli i cili nuk e kishte marrur përsipër pafajësinë e Çelës.
Tomorr Kullolli jep dorëheqjen, e cila pranohet nga Zihni Shahu dhe dosja i kalon Enkeleda Kapedanit sipas porosisë së Suel Çelës.
Me 30 prill 2020, gjyqtarja Kapedani vendos pushimin e çështjes penale në ngarkim të Marjus Lulaj, i cili është Suel Çela.