Reforma e dështuar e ujit/ Miliardat që prokuron Klevis Jahaj në drejtimin e AKUK

Në tetor të vitit 2021, Klevis Jahaj u emërua drejtor i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve. Pas ardhjes në krye, Jahaj ndërmori të ashtëquajturën “reforma e ujit”, duke shkrirë drejtoritë e ujësjellësve të rretheve për t’i përqendruar në qendër. Kjo me qëllim të dyfishtë; investimet dhe emërimet do të bëhen me “urdhër nga lart”.

Deri më tani, Jahaj ia ka dalë të marr 11 drejtori të mëdha, teksa rezistencë ka bërë vetëm Ujësjellësi i Tiranës. Gjatë kësaj kohe janë prokuruar qindra miliona euro, ku çdo muaj drejtori i AKUK firmos fituesit e procedurave.

Rezulton se Jahaj ka shpërblyer oligarkë dhe investitorë strategjikë, duke “përjashtuar” nga këto investime qytetarët e thjeshtë. Tani, reforma e ujit u bë për të pasurit, apo për qytetarët e thjeshtë? Nga njëra anë janë rritur pothuajse të gjitha faturat e ujit në rrethe e në Tiranë, këto me vendime të dyshimta të këshillave bashkiake. Ndërkohë, nga ana tjetër AKUM ka bërë disa tendera për t’u çuar ujin e pijshëm fshatrave turistikë, ku fitues dalin çuditërisht firma që kanë bërë këto fshatra!

Jahaj ka kryer studimet pranë Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës, dega Financë. Në tetori 2021, Jahaj u emërua për të drejtuar Agjencinë Kombëtare Ujësjellës Kanalizime, institucion në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ndërkohë, në dokumentet e Qendrës Kombëtare të Biznesit  rezulton se Jahaj, para se të bëhet drejtor i AKUM, merrej me konsulencë dhe studime ekonomike. Por, pasi u bë drejtor nuk ka më nevojë për këto konsulenca, pasi firmat që ai i konsulonte tashmë i shpall fituese në tenderët me shumë zero të AKUM-it.