Reagon Policia e Shtetit: Ilir Meta lëshoi fjalë fyese dhe refuzoi të dilte nga mjeti, në bazë të procedurës u…

Policia e shtetit ka reaguar rreth mënyrës së arrestimit të Ilir Metës.

Thirrjes së agjentëve të BKH, kreu i PL nuk i është përgjigjur, duke refuzuar, madje lëshuar edhe fyerje.

Për këtë shkak, ai është nxjerr me forcë nga makina e tij.

REAGIMI I POLICISE

Me detyrimin ndaj opinionit publik lidhur me mënyrën e shoqërimit të shtetasit I.M., sqarojmë se:

Policia e Shtetit ka marrë për ekzekutim  vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), me kërkesë të Prokurorisë së  Posaçme për arrestimin e shtetasit I.M, 55 vjeç. Për zbatimin e këtij vendimi Policia e Shtetit ka marrë masa operacionale, sipas procedurave të parashikuara nga Rregullorja.

Rreth orës 13:15 minuta Policia e Shtetit ka marrë informacion dhe më pas ka konstatuar se në vendin e quajtur ‘Kthesa e Kamzës’, në zonën e Laprakës, shtetasi I.M po udhëtonte me një automjet në drejtim të Tiranës.

Në këtë moment është bërë ndalimi i automjetit dhe  drejtuesi i grupit operacional i ka komunikuar shtetasit I.M,  vendimin e gjykatës për masën e sigurisë “Arrest në burg”  dhe i ka kërkuar të zbresë nga automjeti.

Shtetasi I.M. ka reaguar në mënyrë refuzuese dhe kundërshtuese dhe ka lëshuar fjalë fyese në drejtim të përfaqësuesve të Policisë dhe Drejtësisë.

Bazuar në procedurën e parashikuar nga Rregullorja, ai është nxjerrë nga automjeti dhe shoqëruar forcërisht.

Policia e Shtetit nënvizon se përdorimi i forcës për shoqërimin e subjektit u imponua nga kundërshtimi me forcë prej tij  për zbatimin e vendimit të gjykatës që iu komunikua nga punonjësit e Policisë.