REAGIMI/ Dimal: Mishin se futëm ne! AMG ia kalon “topin” AKU: Dhamë faturat!
TIRANË- Kompania “diMal Inc.” dhe “AMG FOOD” kanë reaguar zyrtarisht për lajmet e publikuara se në vendin tonë është shitur në treg 13.5 mish me salmonelë.
Përmes deklaratës, kompania “diMal”, në pronësi të Mondi Goxhas shprehet se nuk është importuesi i mishit të papërpunuar të pulës dhe pasi u njoftua se ka dyshime për kontaminim të mishit ndërmori masat paraprake. Më tej, në deklaratë “diMal” shton se asnjë nga lotet me mish të kontaminuar nuk është përdorur në prodhimin e produkteve apo nënprodukteve.
“Të nderuar konsumatorë dhe partnerë,
Lidhur me njoftimet e fundit në media të ndryshme online dhe në rrjete sociale, lidhur me importin e mishit të pulës së papërpunuar, kompania DIMAL Inc. dëshiron të sqarojë publikisht sa më poshtë:
Së pari, sqarojmë se kompania jonë nuk importon drejtpërdrejt mish pule të papërpunuar, pra nuk është kompania jonë importuesi i mishit të pulës së papërpunuar që raportohet ne media të ndryshme online dhe në rrjetet sociale. Ky proces kryhet ekskluzivisht nga një prej furnitorëve tanë të jashtëm, i cili mban përgjegjësinë e plotë për kontrollin, dokumentacionin dhe përputhshmërinë e produktit me standardet ligjore dhe shëndetësore në fuqi. Pas një njoftimi zyrtar nga furnitori ynë mbi dyshime për kontaminim të mundshëm në një sasi të kufizuar të mishit të papërpunuar, kompania DIMAL Inc. reagoi menjëherë, duke ndërmarrë të gjitha masat paraprake të nevojshme për të garantuar sigurinë e zinxhirit tonë të prodhimit. Ne konfirmojmë se asnjë sasi nga lotet e kontaminuara nuk është përdorur në prodhimin e produkteve ose nënprodukteve tona dhe se grupi i identifikuar nuk është aktualisht në prodhim.
DIMAL Inc. zbaton me përpikmëri standardet më të larta të kontrollit të cilësisë dhe sigurisë ushqimore, duke përfshirë certifikimet HAÇP, ISO 22000, ISO 9001, ISO 14001 dhe ISO 45001, dhe është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse për të garantuar transparencë të plotë. Për këtë arsye, i bëjmë thirrje të gjitha palëve që kanë shpërndarë, publikuar apo ripublikuar këto informacione të rreme, që të përditësojnë lajmet për raportimin e duhur në të gjitha mjetet dhe platformat e tyre të komunikimit (faqe interneti, rrjete sociale, grupe diskutimi, etj.). Mosrespektimi i kësaj kërkese, përveçse përhapjes së një paniku te panevojshëm në publik dhe dëmtimit të një industrie të tërë, do të pasohet me ndjekje të të gjitha rrugëve ligjore për mbrojtjen e imazhit dhe integritetit të kompanisë sonë. Kompania DIMAL Inc. mbetet e përkushtuar në respektimin e standardeve më të larta të sigurisë ushqimore dhe sigurimit të cilësisë për të gjitha produktet e saj”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Ndërsa, kompania “AMG Food”, edhe kjo në pronësi të Mondi Goxhës, pranon se në fakt në treg është shitur mish i kontaminuar. Pra, për ta kuptuar të dyja kompanitë janë pronë e Mondi Goxhës, dhe Dimal deformon të vërtetën kur thotë se nuk ka lidhje me furnitorin. Pasi furnitori është kompania tjetër e pronarit.
Por le të sqarojmë reagimin. Sipas deklaratës, sapo Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar se mishi është i kontaminuar, kompania në fjalë ka tërhequr produktet nga tregu.
Sipas “AMG Food” kompania ka vendosur në disapozicion të AKU 154 fatura të produktit të shitur të kontaminuar në treg dhe janë njoftuar konsumatorët.
“Shoqëria AMG dëshiron të sqarojë opinionin publik lidhur me lajmet e përhapura mbi kontaminimin e mishit me salmonelë, të importuar nga shoqeria jone. Shoqëria jonë nuk ka pasur asnjë djeni në lidhje me praninë e Salmonelës. Në momentin që kemi marrë dijeni nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) për analizat laboratorike që treguan praninë e salmonelës, kemi vepruar me përgjegjshmëri dhe kemi tërhequr menjëherë produktet nga tregu. Gjithashtu, kemi bashkëpunuar plotësisht me autoritetet dhe kemi vendosur në dispozicion të AKU-së të gjitha informacionet dhe dokumentet e nevojshme për gjurmueshmërinë e produktit. Në përputhje me legjislacionin në fuqi, shoqëria jonë ka siguruar 154 fatura të shitjeve të produktit të kontaminuar, duke mundësuar që të njoftohen konsumatorët dhe të merren masat për tërheqjen e produktit nga tregu. Ky veprim ka qenë një hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e sigurisë ushqimore. AMG ka vepruar gjithmonë me transparencë dhe ka qenë e angazhuar për të garantuar standardet më të larta të cilësisë dhe sigurisë së produkteve të saj. Ne dëshirojmë të theksojmë se shoqëria ka bashkëpunuar në çdo moment me autoritetet për të siguruar një reagim të shpejtë dhe të duhur ndaj situatës dhe është e hapur për çdo verifikim”, thuhet në deklaratë.
Por, ditën e sotmë në një deklaratë drejtori i Menaxhimit të Riskut në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU), Martin Jorgaqi tha se pasi u konstatua mishi i pulës me salmonelë, kompania nuk ka bashkëpunuar me autoritetet dhe nuk ka dhënë informacion të saktë rreth faturave, se në cilat pika shitjesh u shpërnda ky produkt. Jorgaqi tha se mes AKU-s dhe kompanisë nuk ka bashkëpunim dhe nuk kanë komunikuar për hapat e mëtejshme
“AKU kryen funksion e vet dhe në pikat e inspektimit kufitar, në të cilat në bazë të planit, në bazë të rrisku dhe marrjes së monstrave që AKU zhvillon aktivitetin e vet, është marrë monstër në subjektin importues dhe monstra e këtij subjekti rezultoi që ishte me salmonelë. Menjëherë me marrjen e informacionit, analizat janë kryer në labarotarin e referencës në ISUV, i cili është laborator i akredituar për këtë lloj analizash dhe sapo merret njoftimi alert nga lobaratori i ISUV për këtë produkt, AKU shkon mbrapa me dokumentacion dhe identifikon kodin, gjejmë emrin e operatorit dhe po me të njëjtën ditë që na erdhën informacionet mbi praninë e salmonelës në produkt, shkuam në subjekt dhe filluam aktivitetin kontrollues lidhur me produktin dhe gjurmëshmërinë e tij. Sasia prej 7.8 ton, 7890 kg mish, e cila është pjesa përfaqësuese e lotit, ku bë analizimi dhe demostrimi i produktit. Me shkuarjen në ambientet ku ushtron aktivitetin subjekti importues, duhet thënë që nuk patëm një bashkëpunim të frytshëm dhe nuk gjetëm një dokumentacion gjurmshmërie i cili të na udhëhiqte dhe të na e bënte më të lehtë punën për mbledhjen mbrapsht të produkteve. Megjithatë inspektorët tanë arritën që të gjenin një sërë faturash dhe adresash të shitësve ku ky furnitorë kishte shpërndarë produktin e vet. Nuk patëm një bashkëpunim qoftë në cilësinë e informacionit që morëm, ashtu edhe për dhënie e këtij informacioni për vazhdimin e hapave më tejshëm që ne tashmë jemi duke e kryer. Është shpërndarë në 10 qarqe të vendit”, tha Jorgaqi.
Gjatë ditës së sotme, është mundur që të kontaktohet me pronarin e kompanisë, i cili e ka pranuar se malli (ajo që ka mbetur) me salmonelë është i porositur prej tij. Por shton se nuk di të thotë një shifër ekzakte sesa ka shitur në treg. Të vetmin koment për situatën e krijuar ka faktin që ndihet nën presion.
“Kam shitur nga malli që ka ardhur i importuar, por nuk kam dijeni sesa. Tani jam nën presion,”-ka thënë në një prononcim për ZËRI-n, Mondi Goxha.
Por nuk jep asnjë koment tjetër se përse ka shkelur “filozofinë” e kompanisë që ka ngritur. Sërish në faqen e tyre zyrtare shkruhet se: Cilësia e ushqimit vjen nga burimi, prandaj ne përzgjedhim mishin më të mirë dhe erëzat më cilësore për produktet tona. Me pasion dhe përkushtim përgatisim recepturat origjinale për të sjellë produkte të shijshme Dimal, në zemren e çdo tryeze!
E në fakt kësaj filozofie nuk i kanë qëndruar gjatë duke shpërfillur rregullat për kontrollin e mallit dhe duke u dhënë konsumatorëve të tyre një produkt me salmonelë, një bakter që edhe pse jo vdekjeprurës është i rrezikshëm nëse bie në kontakt me organizmin e njeriut. / ZERI