Raste të reja me prezencë të clorpirifosit në mandarina shqiptare

Presidenti i Urdhrit Veterinar, Ervin Resuli ka bërë një postim në rrjetin e tij social “Facebook” ku njofton se Kroacia ka konstatuar një rast tjetër të prezencës së pesticidit Clorpirifos në mandarinat shqiptare.

STATUSI I PLOTE

Ende pa u mbyllur rezultatet e tre ngarkesave të para për praninë e clorpirifosit në mandarina, sistemi i alarmit RASFF në BE ka lëshuar përsëri njoftim më 20 dhjetor për ngarkesa të tjera me pesticide të larta në mandarina nga Shqipëria!

Ku është Ministria e Bujqësisë?

Ministria ka për detyrë të mbrojë konsumatorin shqiptar dhe të sigurojë standardet e sigurisë ushqimore. Pse po vonohen analizat dhe nuk po publikohen rezultatet? A ka dikush interesa në Ministrinë e Bujqësisë që lejon popullatën shqiptare të konsumojë produkte me nivele të rrezikshme të pesticideve?

Kjo situatë është një këmbanë alarmi për shëndetin e qytetarëve dhe për reputacionin e produkteve tona bujqësore. Institucionet përkatëse duhet të reagojnë menjëherë dhe të garantojnë që produkte të tilla të mos përfundojnë në tryezat tona.