Rreth 48 për qind e fëmijëve poshtë 6 vjeç në Shqipëri janë në rrezik të varfërisë vlerësoi një raport i fundit i Bashkimit Europian, i cili vlerësoi zhvillimet në arsimin e fëmijëve poshtë 6 vjeç në Europë.
Siç tregon grafiku i mëposhtëm fëmijët shqiptarë në rrezik të varfërisë janë më shumë se dyfishi i mesatares se BE-së 23,5% me 2023.
Sipas përcaktimeve të Eurostat, fëmijët konsiderohen të rrezikuar nga varfëria ose përjashtimi social nëse ata jetojnë në familje me të ardhura që janë më pak se pragu 60 % i të ardhurave mesatare kombëtare.
Gjithashtu ata konsiderohen në rrezik të varfërisë nëse vuajnë nga privimi i rëndë material dhe social, që do të thotë se familjet e tyre nuk munden të përballojë të paktën 7 nga 13 nevoja për një jetesë normale.
Këto nevoja përfshijnë të pasurit mundësi të mbajnë shtëpitë e tyre të ngrohta, të blejnë rroba të reja, të kenë dy palë këpucë që përshtatshme dhe te kenë mundësi të kalojnë një javë pushime larg shtëpisë.
Krahasimi i Bashkimit Europian tregoi se Shqipëria kryesoi renditjen për nivelin e lartë fëmijëve në rrezik të varfërisë, e ndjekur nga Turqia dhe Mali i Zi.
Ndër shtetet anëtare, në vitin 2023, përqindjet më të larta të fëmijëve nën moshën 6 vjeç në rrezik të varfërisë e kishte Rumania 35.3%, Bullgaria 34,2% dhe Spanja 34,1%.
Sllovenia është e vetmi vend europian që regjistron më pak se 10% të fëmijëve nën moshën 6 vjeç në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social.
Në Çeki, Kroaci, Luksemburg, Holandë, Poloni, Finlandë dhe Norvegji 12-15% të fëmijëve nën 6 vjeç jetojnë në rrezik të varfërisë.
Të dhënat tregojnë se përqindja e fëmijëve në moshën 0–5 vjeç që përballet me varfërinë ose përjashtimin social ka rënë në shumicën e vendeve evropiane që nga viti 2015. Serbia dhe Rumania spikasin me ulje prej 15.3 dhe 14.4 pikë përqindjeje përkatësisht secila .
Rënie të treguesit kishte edhe në Bullgari, Letoni, Hungari dhe Mal të Zi. Në të kundërt, përqindja e fëmijëve në rrezik të varfërisë ose përjashtimi social është rritur me 8.9 për qind pikë në Turqi që nga viti 2015.
Ndryshe nga Shqipëria një numër i madh vendesh në Europë promovojnë masa lehtësuese dhe mbështetje për familjet që po rrisin fëmijë./Monitor