Raporti nxënës-mësues, arsimi publik ia kalon privatit. Çfarë tregojnë shifrat e INSTAT

Në këtë vit akademik, për herë të parë, numri i nxënësve për mësues në shkollat publike është më i ulët se në shkollat private. Në vitin akademik aktual 2023-2024 në ciklin fillor, një mësues në shkollat publike kishte mesatarisht 15.1 nxënës, ndërsa në sektorin privat, 15.2 nxënës, tregojnë të dhënat e INSTAT. Në ciklin 9-vjeçar (klasa e 6-9) një mësues në shkollat shtetërore kishte afërsisht 7.9 nxënës, ndërsa në sektorin privat, 8 nxënës.

Në arsimin e mesëm, raportet janë ende në favor të privatit. Një mësues në shkollat publike ka mesatarisht 11.6 nxënës, ndërsa në privat, 9.1 nxënës. Raporti nxënës për mësues është përmirësuar ndjeshëm në dekadën e fundit nga rënia e lindjeve, teksa më pas, një pjesë e konsiderueshme e fëmijëve emigrojnë me prindërit.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se gjatë 2013 – 2023 kishin kërkuar azil në vendet e BE-së mbi 64 mijë persona nën 18 vjeç, norma më e lartë në rang global pas Sirisë, në raport me popullsinë.

Në vitin 2015, një mësues në ciklin 9-vjeçar jepte mësim për mesatarisht 18.3 nxënës, ndërsa në vitin shkollor 2023-2024, një mësues ka mesatarisht 15.1 nxënës.
Pakësimi i nxënësve për mësues do të duhej të përkthehej në arritje më të mira për mësimet, por kjo nuk ka ndodhur. Rezultatet e testit PISA 2022 (vlerësimi ndërkombëtar i nxënësve që kryhet nga OECD ku vlerësohen arritjet e nxënësve në matematikë, shkencë dhe lexim tregoi për rënie dramatike të rezultateve.