Raporti: Kosova nuk po bën mjaftueshëm për të zvogëluar varësinë nga thëngjilli
Kosova, si dhe dy vendet e tjera të Ballkanit Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, nuk po bëjnë mjaftueshëm për ta zvogëluar varësinë nga thëngjilli dhe për të ulur emetimin e gazrave serrë në atmosferë, sipas një raporti të Rrjetit për Veprim Klimatik (RRVK).
Raporti i koalicionit joqeveritar evropian, i cili lufton ndryshimet klimatike, thekson se Kosova, Serbia dhe Bosnja nuk i kanë përmbushur synimet e caktuara në Planet Klimatike dhe Energjinë Kombëtare (PKEK), si dhe kanë bërë përpjekje të vogla për të krijuar strategji konkrete për ta hequr nga përdorimi thëngjillin, sipas Radio Evropa e Lirë.
“Varësia e vazhdueshme në thëngjill të vjetruar dhe joefikas e pengon tranzicionin e shumënevojshëm në burime të energjisë së ripërtëritshme në rajon. Kjo e minon fizibilitetin e zbatimit të politikave çmimore të karbonit, të cilat nuk adresohen siç duhet në PKEK”, thuhet në raport.
Në Kosovë, PKEK-u nuk ofron një strategji gjithëpërfshirëse për heqjen nga përdorimi të linjitit, një thëngjill i butë që Kosova ka shumë, ndërsa pritjet janë që termocentralet të mbeten në punë përtej vitit 2040, thuhet në raport.