Komisioni Evropian (KE) i ka qortuar Kosovën dhe Serbinë për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE) në raportet e tij të progresit për të dy vendet, të cilat pritet të publikohen të mërkurën.
Radio Evropa e Lirë e ka parë një draft të raportit 150-faqesh, në të cilin vlerësohet përmbushja apo jo e kritereve nga ana e Kosovës, si dhe e rekomandimeve që ka dhënë KE-ja në raportet e mëhershme.
Kosova ka bërë “përparime të kufizuara” në përmbushjen e standardeve të nevojshme për t’iu bashkuar BE-së. Ky është vlerësimi më i shpeshtë në Raportin të cilin KE-ja pritet ta miratojë nesër pas takimit të Kolegjit të Komisionarëve.
Por, në raportet e këtij viti, si në atë për Kosovën, ashtu edhe në atë për Serbinë, një vëmendje e shtuar i është kushtuar përmbushjes së detyrimeve që dalin nga dialogu i Brukselit dhe në këtë çështje të dyja vendet qortohen për moszbatim e tyre.
Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është vlerësuar me tekstin e njëjtë në të dyja raportet individuale të progresit, për secilin vend përkatës, pasi këto obligime janë pjesë e kritereve edhe për avancim në procesin e integrimeve evropiane.
Duke e rikujtuar arritjen e marrëveshjes në Bruksel në shkurt dhe aneksit për zbatimin e saj një muaj më vonë në Ohër, raporti shpreh keqardhje që palët nuk kanë filluar ende t’i kryejnë obligimet e tyre.