Rama vizitë në Gjermani, merr pjesë në “Charlemagne Europa Forum” në Aachen

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndodhet sot në Aachen të Gjermanisë për të marrë pjesë në “Charlemagne Europa Forum”, një aktivitet i rëndësishëm që mbledh liderë evropianë dhe personalitete me ndikim në politikën dhe integrimin e kontinentit.

Vizita e Ramës përkon me ceremoninë e dorëzimit të çmimit prestigjioz “Charlemagne”, që këtë vit i akordohet Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Sipas axhendës së publikuar, në orën 10:15 do të zhvillohet pritja zyrtare për të gjithë pjesëmarrësit në forumin evropian. Më pas, në orën 11:15, do të mbahet ceremonia e ndarjes së çmimit “Charlemagne” për Ursula von der Leyen, në shenjë vlerësimi për rolin e saj në forcimin e bashkëpunimit evropian dhe udhëheqjen gjatë sfidave të mëdha me të cilat është përballur Bashkimi Evropian.