Rama: Ulja e çmimit të energjisë nuk është taktike elektorale, s’më intereson çfarë thonë të tjerët

Kryeministri Edi Rama ka mohuar akuzat se ulja e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë me 1 lekë është një lëvizje me prapavijë elektorale. Në një konferencë për mediat, kreu i qeverisë tha se vendimi është pjesë e strategjisë për të lehtësuar barrën financiare të qytetarëve dhe nuk ka asnjë detyrim të bindë ata që janë skeptikë.

Rama: “Nuk kam asnjë detyrim t’i mbush mendjen askujt, sidomos atyre që kanë mendjen e mbushur mbrapsht. Jetojmë në një demokraci ku të gjithë kanë të drejtë të thonë çfarë të duan, dhe për çdo gjë që bëj, sigurisht do të ketë komente. Por, ajo që më intereson është që 1 milion konsumatorë do të përfitojnë nga një çmim më i ulët i energjisë.”

Kryeministri theksoi se ky vendim është një arritje e rëndësishme dhe një hap tjetër drejt objektivit të qeverisë për një Shqipëri më të zhvilluar deri në vitin 2030.

“Bonusi për pensionistët po ashtu u kritikua”

Rama komentoi edhe kritikat mbi bonusin e pranverës për pensionistët, duke thënë se gjithçka që bën për qytetarët cilësohet elektorale nga kundërshtarët e tij.

Rama: “Unë jam elektoral si qenie që kur dal nga shtëpia. E rëndësishme për mua është që pensionistët do të marrin një tjetër bonus dhe familjet do të kenë një barrë më të lehtë financiare. Këto janë vendime që ndikojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.”

Kryeministri përfundoi duke theksuar se nuk i kushton vëmendje komenteve kritike dhe se fokusi i qeverisë do të mbetet te përmirësimi i jetesës së qytetarëve.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by replika.al (@replikealbania)