Rama u dha urdhër të prerë! Nisin dorëheqjet dhe shkarkimet në Elbasan, Kukës dhe Korçë
Pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama për largimin e kryetarëve të njësive administrative deri të hënën, kanë nisur dorëheqjet dhe shkarkimet në disa bashki të vendit.
Në qarkun e Elbasanit, pas një mbledhjeje të zhvilluar në bashkinë e Elbasanit, drejtuesit e njësive administrative dhe përgjegjës të disa sektorëve paraqitën dorëheqjet e tyre. Procesi u zhvillua në mënyrë të koordinuar me drejtuesit vendorë.
Në Kukës, kryebashkiaku Albert Halilaj ndërmori masa të menjëhershme duke shkarkuar 14 drejtues të njësive administrative. Gjithashtu, u liruan nga detyra edhe dy nënkryetarët e bashkisë, Agron Nuredinaj dhe Vladimir Spahiu. Sipas njoftimit zyrtar të bashkisë, vendimet erdhën pas një analize të thelluar të performancës, ku u zbuluan mangësi të theksuara në disa sektorë. Bashkia theksoi se do të përqendrohet në rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve.
Në Korçë, gjashtë kryetarët e njësive administrative kanë paraqitur dorëheqjet pranë kryebashkiakut Sotiraq Filo. Sipas burimeve, ata do të vijojnë të ushtrojnë detyrën deri në emërimin e pasardhësve. Ndërkohë, dy nënkryetarët e bashkisë nuk janë përfshirë në këtë valë largimesh.
Situatë e ngjashme është shënuar edhe në bashkinë e Kolonjës, ku tre drejtues njësish kanë dhënë dorëheqjen, ndërsa në Devoll kanë vepruar njësoj katër administratorë të njësive. Pritet që ky proces të përhapet edhe në bashkitë e tjera të qarkut Korçë, përfshirë Maliqin dhe Pogradecin.
Valës së dorëheqjeve dhe shkarkimeve pritet t’i shtohen zhvillime të reja në ditët në vijim, ndërsa procesi i reformimit të administratës vendore vijon me intensitet.