Rama u bën thirrje emigrantëve të regjistrohen për votën e diasporës: Mos e lini për në moment të fundit

Kryeministri Edi Rama ka bërë një apel të fortë për emigrantët shqiptarë që të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar se afati përfundimtar është 4 marsi. Në podkastin e tij “Flasim”, Rama u kërkoi emigrantëve të mos e lënë regjistrimin për në momentin e fundit, pasi mund të ketë mbingarkesë të sistemit dhe të mbeten pa u regjistruar.

“Unë e di që ne shqipot i lëmë gjërat për në moment të fundit, por në këtë rast është e rëndësishme të mos e lini. Bëni çmos që të regjistroheni deri më 4 mars,” tha Rama.

Ai veçoi emigrantët shqiptarë në Greqi dhe Itali, duke theksuar se ata janë dëshmitarë të ndryshimeve që kanë ndodhur në vend, si dhe të përmirësimit të reputacionit të shqiptarëve në këto vende.

Regjistrimi për votën e diasporës bëhet përmes platformës së KQZ-së dhe, sipas kryeministrit, procesi është i thjeshtë dhe mund të kryhet edhe me pasaportë apo kartë identiteti të skaduar. Rama siguroi gjithashtu se votimi do të jetë falas dhe i financuar nga shteti.

“Sa më shumë të marrin pjesë, aq më mirë është,” përfundoi ai, duke u bërë thirrje të gjithë emigrantëve që të mos humbin mundësinë për të votuar.