Rama thumbon Arben Ahmetajn: Ai që ishte një karrige larg meje, sot është në kërkim nga drejtësia
Kryeministri Edi Rama ka thumbuar ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati që prej korrikut 2023, pas një urdhërarresti të lëshuar nga SPAK. Gjatë një fjale në Kuvendin Rinor të Partisë Socialiste, Rama u ndal te Reforma në Drejtësi dhe theksoi se askush nuk është mbi ligjin, përfshirë ata që dikur kanë qenë pjesë e qeverisjes.
“Ata do thonë se ne jemi çetë hajdutësh, sepse ja, ky dhe ai që ishin deri dje me ne, madje një karrige larg meje, janë sot në duart e drejtësisë apo në kërkim nga drejtësia,” tha Rama, duke nënkuptuar Ahmetajn.
Ai deklaroi se socialistët e përdorën pushtetin për të dhënë pavarësi drejtësisë dhe se pa Reformën në Drejtësi, askush i lidhur me politikën, as të djeshmen dhe as të sotmen, nuk do të ishte përballur me drejtësinë.
“Po të mos ishim ne, nuk do kishte asnjë njeri të lidhur me pushtetin politik, të sotëm apo të djeshëm, para drejtësisë. Siç nuk ka pasur kurrë më parë, që nga viti 1912, deri kur ne bëmë Reformën në Drejtësi,” tha Rama.
Kryeministri e paraqiti reformën si një arritje historike, ndërsa la të kuptohet se qeveria e tij nuk ka frikë nga ndjekja penale e ish-funksionarëve të saj.