Rama: Të rinjtë do refuzojnë “bufin e stërplakur” dhe “bretkosat politike”, trenin e PS nuk e ndal askush
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se vizioni i ri për teknologjinë dhe zhvillimin ekonomik po hapet me shpejtësi në Shqipëri, duke krijuar mundësi të reja për të rinjtë. Ai tha se rrjeti i punësimit nga shtëpia është një realitet që do të zgjerohet, ndërsa të rinjtë që trajnohen me metodat më të avancuara do të jenë pjesë e tregut të punës së së ardhmes.
Duke folur për zgjedhjet e ardhshme, Rama u shpreh se të rinjtë do të refuzojnë “kënetën politike” dhe “bufin e stërplakur”, duke iu bashkuar trenit të Partisë Socialiste më 11 maj. “Sa më shumë të tentojnë ta ndalojnë trenin tonë, aq më shumë do të shkelen me votë,” tha ai, duke theksuar se nga Shkodra në Vlorë, Shqipëria po krijon mundësi për zhvillim dhe investime.
Kryeministri solli si shembull të rinjtë e Thethit, të cilët, sipas tij, po arrijnë të mbajnë familjet e tyre në emigracion falë turizmit dhe investimeve në agroturizëm. Ai tha se mbështetja për ata që duan të investojnë në fshat është shumëfishuar dhe se qeveria do të vijojë t’i ndihmojë ata përmes paketave financiare dhe programeve të reja.
Gjithashtu, Rama vuri theksin te reformat në arsim dhe sport, duke deklaruar se sot në shkolla ka palestra moderne dhe programe edukative cilësore, ndryshe nga e kaluara. Ai theksoi se në 100 ditët e ardhshme, qeveria do të krijojë një shumicë më të madhe se kurrë për të thënë një “po” të fortë Shqipërisë në Europë dhe një “jo” të vendosur atyre që, sipas tij, duan ta çojnë vendin pas.