Rama takon studentët e Gazetarisë, flet për TikTok dhe sigurinë kibernetike: Nuk kemi zgjidhje tjetër për momentin

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar laboratorin e mediave digjitale në Departamentin e Gazetarisë të Universitetit të Tiranës, ku zhvilloi një podkast me studentët. Gjatë bisedës, ai ka folur për mbylljen e platformës TikTok, duke theksuar se për momentin nuk ka një zgjidhje tjetër, por janë në dialog me kompaninë për të adresuar shqetësimet që ka ngritur qeveria.

Rama u shpreh se për momentin TikTok nuk ka filtrin për gjuhën shqipe, duke lejuar përdorimin e fjalëve që nuk duhet të shfaqen në platformë. Ai shtoi se është e rëndësishme që të rinjtë të jenë të vetëdijshëm për sfidat që vijnë nga përdorimi i mundshëm të një VPN dhe se qeveria po punon për të adresuar këto çështje.

Në lidhje me sigurinë kibernetike, kryeministri tha se Shqipëria ka marrë masa të avancuara për mbrojtjen nga sulmet kibernetike dhe se këto sulme ndodhin çdo ditë. Ai theksoi se vigjilenca është e nevojshme dhe se lufta kibernetike është ende në fillim.

Rama gjithashtu ndau batuta me gazetarët për stilin e tij të veçantë, duke kujtuar një episod të hershëm me Pandeli Majkon, ku tha se kravatat janë “ishulli i fundit i lirisë” që i ka mbetur.

Kryeministri përfundoi duke theksuar se Shqipëria është duke bërë përpjekje për të përballuar sfidat teknologjike dhe kibernetike, dhe është e angazhuar në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.