Rama takon drejtuesen e TikTok për Europën, diskutojnë për mbylljen e platformës në Shqipëri: Rihapja do të ndodhë, por me garanci

Në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror që po zhvillohet në Davos, Kryeministri Edi Rama është takuar me Christine Grahn, drejtuesen e Marrëdhënieve me Qeveritë dhe Politikën Publike të TikTok-ut për Europën, për të diskutuar rreth vendimit të mbylljes së përkohshme të aksesit në këtë platformë në Shqipëri.

Rama deklaroi se diskutimi kishte për qëllim adresimin e shqetësimeve që çuan në këtë masë dhe identifikimin e rrugëve për zgjidhje.

Deklarata e Ramës:

“Me Christine Grahn shtruam shqetësimet që na çuan në vendimin e mbylljes së përkohshme të aksesit në platformë nga Shqipëria dhe dëgjuam rrugët e mundshme të adresimit të tyre nga ana e kompanisë. Një diskutim i hapur dhe me frymë konstruktive ku vendosëm disa piketa bashkëpunimi në javët e muajt në vijim, për të siguruar rihapjen e TikTok-ut në një kohë sa më të arsyeshme, por sigurisht me të gjitha garancitë e nevojshme,” u shpreh Rama në një postim në Facebook.

Rihapja e TikTok-ut në varësi të garancive

Kryeministri theksoi se rihapja e platformës do të varet nga masat dhe garancitë që do të sigurojë kompania për t’iu përgjigjur shqetësimeve të ngritura nga autoritetet shqiptare. Në mungesë të këtyre garancive, ai shtoi se qeveria mund të ndërmarrë vendimin për një mbyllje të përhershme të aksesit në TikTok.

Kjo masë ka ngjallur debat të gjerë në vend, me shumë përdorues të platformës që kanë shprehur shqetësimin e tyre, ndërsa qeveria mbetet e fokusuar te çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes së përdoruesve, veçanërisht të të rinjve.

Të ardhmen e TikTok-ut në Shqipëri do ta përcaktojnë diskutimet dhe zbatimi i masave të përbashkëta midis autoriteteve dhe kompanisë.