Rama: SPAK është krijuar nga PS, Amerika ka ndryshuar qëndrim, BE foli për presione por nuk heq asnjë presje

Kryeministri Edi Rama, në rubrikën “Sy më Sy”, ka theksuar se lufta kundër korrupsionit është një vullnet i qartë politik i Partisë Socialiste. Ai deklaroi se krijimi i SPAK ishte një nismë e drejtpërdrejtë e PS-së, e mbështetur fillimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“SPAK është një institucion i krijuar nga vullneti politik i PS. Amerika e solli dhe Amerika e mbajti, por sot, Amerika ka ndryshuar rrugë. Keni dëgjuar ndonjë deklaratë të ambasadës për SPAK apo për drejtësinë? Jo,” tha Rama, duke nënkuptuar një qasje të re të SHBA-së në raport me drejtësinë shqiptare.

Kryeministri reagoi edhe ndaj deklaratave të Bashkimit Europian për presione apo ndërhyrje në punën e drejtësisë, duke theksuar se nuk tërhiqet nga qëndrimet e tij: “Ato që thashë, do t’i them përsëri dhe nuk heq asnjë presje, sepse bëhet fjalë për një institucion që është ende në fazën e tij të parë të zhvillimit.”

Rama theksoi se mbështetja për SPAK mbetet e fortë nga mazhoranca: “SPAK është dhe do të jetë aty me mbështetjen e fuqisë së PS. Ne jemi vullneti i shumicës së popullit shqiptar, dhe qytetarët kërkojnë që ky institucion të fuqizohet.”

Ai gjithashtu vuri në dukje se pavarësia e SPAK duhet të shërbejë për një drejtësi të drejtë dhe në përputhje me parimet e bashkëjetesës europiane. “Pavarësia nuk mjafton. SPAK duhet të luftojë me vetveten dhe të mbajë parasysh që duhet të funksionojë në emër të drejtësisë së drejtë,” shtoi ai.

Në përfundim, Rama nënvizoi se respekti për të drejtën dhe liritë kushtetuese duhet të mbetet parësor, duke paralajmëruar për mungesën e respektit bazik në shoqëri, e cila, sipas tij, mund të përbëjë një sfidë të madhe për funksionimin e sistemit të drejtësisë.