Rama: Shqipëria do të ketë ministër të AI deri në 2030! Ai do punojë, ne do bëjmë muhabet për politikë
Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një takim me përfaqësues të sektorit të teknologjisë, start-up-eve dhe biznesit, ku foli për synimet e qeverisë shqiptare në kuadër të agjendës “Albania 2030” dhe përafrimit me Bashkimin Evropian. Gjatë fjalës së tij, Rama paralajmëroi një hap historik për vendin: krijimin e një ministrie të veçantë për Inteligjencën Artificiale (IA).
“Ramë dakord që me koordinimin e shoqatës, të gjithë ju që jeni këtu dhe ata në sektor, të na ofrojnë draftin e programit IA Albania 2030. Ku do të jetë Shqipëria me IA në vitin 2030. Këtë dokument do ta prezantojmë, diskutojmë dhe më pas do ta çojmë në parlament për ta kthyer në një program pune të qeverisë, me ju,” tha Rama.
Ai shtoi se pjesë e këtij procesi do jetë edhe përzgjedhja e ministrit të ri të IA-së, i cili do zgjidhet në bashkëpunim me komunitetin e teknologjisë.
“Shtoj këtu se ministrin e shtetit për IA do e zgjedhim me pjesëmarrjen tuaj. Nëse do arrini të krijoni ministrin me IA, do jetë hapi i parë historik, ku Shqipëria do ketë ministra dhe kryeministër me IA. Do punojë IA dhe të gjithë ne të tjerët do bëjmë muhabet për politikën,” u shpreh me humor kreu i qeverisë.