Rama shkarkon Çuçin, e zëvendëson Taulant Balla
Rama në Twitter :
Të hënën do t’i dorëzoj zyrtarisht Presidentit të Republikës propozimet e mëposhtme! Falenderoj ministrin Bledi Çuçi për punën e tij si gjithnjë korrekte edhe në këtë detyrë dhe uroj që ministri i ri i Punëve të Brendshme Taulant Balla, të çojë më tej përpjekjen tonë të palëkundur shtetndërtuese në çdo drejtim .
Bledi Çuçi u emërua si Ministër i Brendshëm në Dhjetor të vitit 2020. Ai u konfirmua edhe pas disa muajsh në këtë post në mandatin e tretë të Partisë Socialiste. Ndërsa Taulant Balla nuk ka mbajtur ndonjëherë ndonjë portofol ministror. Ai është deputet i Partisë Socialiste prej vitit 2005 ndërsa në 2021 mori edhe detyrën e kreut të grupit parlamentar.
Vetë Çuçi në një reagim në rrjetet sociale falenderoi Kryeministrin Rama për besimin dhe mbështetjen që i dha gjatë ushtrimit të detyrës dhe tha se ka shërbyer me integritet.
“Për mua ka qenë nder dhe përgjegjësi e madhe të ushtroja këtë funksion të lartë publik dhe shumë të rëndësishëm. Prej ditës së parë kur e mora atë detyrë e deri më sot kam punuar e shërbyer me integritet dhe bashkë me skuadrën e Ministrisë së Brendshme kemi adresuar shumë sfida që lidhen me sigurinë, rendin publik, emigracionin, gjendjen civile dhe pushtetin vendor. Një falenderim i veçantë shkon për të gjithë ata që ishin krah meje në këtë rrugëtim sfidues. Suksese Taulantit në sfidën e re, për të vijuar me reformat transformuese në këtë ministri e veçanërisht në Policinë e Shtetit”.