Rama replikon me komentuesit: Ndërtimet pa leje, peshqesh i trashëguar nga këneta, por brenda 2030 Shqipëria do të jetë ndryshe
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj komentuesve në rrjetet sociale gjatë rubrikës së tij “Sy më Sy”, ku foli për panairin e parë të punës që do të zhvillohet më 2 mars në Athinë. Ai ftoi shqiptarët e Greqisë të investojnë në atdheun e tyre, duke theksuar mundësitë që ofron sot Shqipëria.
Gjatë bashkëbisedimit, Rama iu përgjigj një komenti që prekte çështjen e ndërtimeve pa leje. Kryeministri theksoi se ky problem është një “peshqesh i trashëguar nga këneta” që ka dëmtuar Shqipërinë për vite me radhë, por që sipas tij, po zgjidhet gradualisht.
“Ndërtimet e bëra në pronën e të tjerëve apo edhe në tënden janë një problem që trashëguam nga e kaluara. Megjithatë, kjo plagë e madhe do të mbyllet gjatë kohës së negociatave me Bashkimin Europian dhe deri në 2030, Shqipëria nuk do ta ketë më këtë problem,” u shpreh Rama.
Sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm, kreu i qeverisë deklaroi se sot Tirana ka 24 orë ujë në 67% të territorit, ndërsa pjesa tjetër ka mesatarisht 17 orë ujë në ditë.
“Kur morëm detyrën, askund nuk kishte 24 orë ujë. Sot, ky realitet ka ndryshuar dhe vazhdon të përmirësohet në të gjithë Shqipërinë,” theksoi ai.
Rama iu përgjigj edhe kritikave për emigracionin dhe mungesën e të rinjve në vend. “Shiko se mos ka më shumë pleq në Greqi sesa në Shqipëri. Nëse gjen fshatra të mbushur me rini atje, postoji, të shohim edhe ne. Një gjë di: në turizëm dhe ndërtim, fiton më shumë në Shqipëri sesa në Greqi. Prandaj po organizojmë Panairin e parë të Punës,” tha Rama.
Ai përfundoi duke i ftuar shqiptarët e Europës të marrin pjesë në këtë event, ku do të prezantohet edhe një portal i ri i vendeve të punës për ata që dëshirojnë të kthehen dhe të investojnë në vendlindje.