Rama reagon për tarifat e Trump ndaj Shqipërisë: Jemi në një pozicion komod, nuk ka ndikim të madh në ekonomi

Kryeministri Edi Rama ka komentuar vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur një tarifë prej 10% për mallrat që eksportohen nga Shqipëria drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një deklaratë për mediat, Rama theksoi se për shkak të volumit të vogël të eksporteve shqiptare në SHBA, këto masa nuk pritet të kenë ndikim të ndjeshëm në ekonominë e vendit.

“Dua të komentoj edhe tarifat e presidentit amerikan Donald Trump. Shqipëria është komode për volumin që ka. Nuk është një masë që përbën ndonjë problem serioz për ne,” deklaroi Rama.

Sipas kryeministrit, Shqipëria nuk është ndër eksportuesit kryesorë në tregun amerikan, ndaj vendimi i administratës amerikane nuk përbën rrezik për qëndrueshmërinë ekonomike të vendit.

Vendimi i presidentit Trump për të rivendosur tarifa të reja për disa vende, përfshirë edhe Shqipërinë, ka ngjallur reagime në disa kryeqytete, por autoritetet shqiptare duket se nuk e shohin këtë si një sfidë të madhe për ekonominë.