Rama reagon për lajmet e rreme: Nuk shkoj në Durrës për të takuar Veliajn! S’bëj teatër me vizita në burgje
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj lajmeve që qarkulluan se ai është nisur drejt Durrësit për të takuar kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim. Në një deklaratë publike, Rama e ka mohuar kategorikisht një vizitë të tillë dhe ka akuzuar mediat për përhapjen e lajmeve të rreme.
Rama tha se çështja ligjore e Veliajt i përket drejtësisë dhe avokatëve të tij, ndërsa nënvizoi se nuk ka ndërmend të ndërhyjë apo të bëjë “teatër me vizita në burgje”.
Edi Rama: Këneta mediatike paska hapur lajmin se unë qenkam nisur për të takuar Erionin në Durrës. O llum i madh që mbytët këtë milet me shpifje dhe tituj të shtrembëruar! Erioni është në paraburgim, dhe më pëlqen apo s’më pëlqen mua se si u trajtua rasti i tij, kjo është beteja e tij, jo e imja dhe e Partisë Socialiste.
Kryeministri shtoi se Partia Socialiste mbështet drejtësinë e pavarur dhe nuk ndërhyn në proceset ligjore.
Ai gjithashtu përmendi se sapo kishte përfunduar një takim për çeljen e grupkapitullit 3 të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe për prezantimin e modelit të Inteligjencës Artificiale që është futur në funksion.
Rama vijoi: Unë s’jam këneta dhe Zoti nuk më ka dënuar me zhubrazhgarravitje të surratit, për të luajtur rolin e bufit të kënetës tuaj. Nuk kontrolloj SPAK-un, sepse jam unë ai që kam udhëhequr luftën për krijimin e tij si simbol të pavarësisë së drejtësisë.
Kryeministri përfundoi duke deklaruar se do të vazhdojë punën për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, pavarësisht sulmeve dhe shpifjeve që, sipas tij, vijnë nga disa segmente mediatike dhe politike.