Rama: Procedura për mbylljen e TikTok në celularë ka përfunduar, mos përdorni VPN falas – janë të rrezikshme
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se procedura për mbylljen e TikTok në telefonat inteligjentë në Shqipëri ka përfunduar. Përmes një paralajmërimi, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin përdorimin e VPN-ve falas për të anashkaluar bllokimin, duke theksuar se ato përbëjnë një rrezik të madh për sigurinë e të dhënave personale.
“Të gjithë ta dinë që mënyra për t’iu shmangur bllokimit duke përdorur VPN falas është shumë e rrezikshme, sepse dihet botërisht se hakerat bëjnë namin në grabitjen e të dhënave të telefonit,” tha Rama.
Ai gjithashtu u kërkoi qytetarëve të “durojnë pa TikTok” për një periudhë kohe, derisa të përfundojë programi i përbashkët me kompaninë TikTok, e cila do të vijë së shpejti në Shqipëri për të prezantuar një plan për rritjen e sigurisë për fëmijët dhe adoleshentët.
Sipas kryeministrit, ky hap synon të garantojë një përdorim më të sigurt të rrjetit social, duke kënaqur të gjitha palët e interesuara, përfshirë kompaninë, prindërit, fëmijët, mësuesit dhe autoritetet shtetërore.
View this post on Instagram