Rama pranon korrupsionin në sistem: Edhe BE e ka konstatuar, dixhitalizimi i pronave ende i papërfunduar

Kryeministri Edi Rama ka pranuar hapur se korrupsioni vijon të jetë një problem në sistemin shqiptar, një fakt që, sipas tij, është konstatuar edhe nga Bashkimi Europian. Rama u shpreh se, pavarësisht përparimeve të bëra, Shqipëria ende përballet me sfida serioze në këtë drejtim.

“Sistemi ka ende korrupsion, dhe këtë e pranoj me kokën ulur. Edhe BE e ka konstatuar këtë fakt dhe e ka vendosur si një nga kushtet për përfundimin e negociatave,” deklaroi kryeministri, duke theksuar se vendit i është lënë një afat deri në vitin 2028 për të përmbushur detyrimet dhe për të mbyllur procesin e negociatave me BE-në.

Rama vuri në dukje se, tashmë, ministritë nuk janë më të përfshira në proceset e tenderimit, pasi ato janë kaluar në struktura të posaçme, me qëllim minimizimin e abuzimeve. Megjithatë, ai pranoi se problemi kryesor mbetet tek ndërveprimi mes qytetarëve dhe punonjësve të administratës.

“Ka qenë një kohë kur edhe për një certifikatë paguaje bakshish. Sot, shumë shërbime mund të merren online, përmes platformës e-Albania, madje edhe jashtë vendit,” tha Rama, duke përmendur gjithashtu edhe dixhitalizimin e lejeve të ndërtimit si një tjetër hap përpara.

Megjithatë, kryeministri pranoi se procesi i hartimit dixhital të pronave ende nuk është përfunduar dhe kjo mbetet një prej sfidave kryesore të qeverisë. Ai theksoi se qeveria është e vetëdijshme për mangësitë ekzistuese dhe se qytetarët kanë të drejtë të shprehin pakënaqësitë e tyre.