Rama për The Guardian: Britania është në errësirë, Shqipëria s’pranon qendra emigrantësh! Kur na i kërkon Italia, themi po, pikë
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median prestigjioze britanike The Guardian, ku ka komentuar planin e Mbretërisë së Bashkuar për ngritjen e “qendrave të kthimit” për emigrantët e refuzuar në vendet e treta, një ide që sipas tij pasqyron “errësirën” në të cilën ndodhet sot Britania post-Brexit.
“Është një nga ato gjëra që 10 vjet më parë thjesht nuk do të kishte qenë e imagjinueshme… që Britania të kërkonte vende për të larguar emigrantët. Fakti që sot kjo jo vetëm është e imagjinueshme, por edhe po ndodh, nuk është për shkak të Starmer apo Sunak që po bëjnë diçka të jashtëzakonshme, por sepse Britania është në një vend shumë të errët,” – u shpreh Rama.
Deklarata vjen në kohën kur qeveria britanike ka njoftuar plane për ngritjen e qendrave të tilla në vendet e treta për të trajtuar kërkesat e azilkërkuesve që janë refuzuar dhe të cilëve u janë shteruar rrugët ligjore. Një vizitë e fundit e kryeministrit britanik Keir Starmer në Tiranë ndezi diskutime mbi një përfshirje të mundshme të Shqipërisë, gjë që Rama e mohoi publikisht në një konferencë për shtyp, por edhe e sqaroi në intervistën për The Guardian.
“Kam qenë i qartë për këtë që kur Boris Johnson ma kërkoi dhe Rishi Sunak ma kërkoi… Gjithmonë kam thënë jo,” tha ai, duke theksuar se Shqipëria nuk do të marrë pjesë në asnjë skemë të tillë, edhe pse Starmer nuk e kishte bërë një kërkesë të drejtpërdrejtë gjatë vizitës së tij në Tiranë.
Rama kritikoi ashpër nivelin e diskursit publik në Britani, duke e quajtur atë një realitet të përçudnuar pas daljes nga BE:
“80% e gjërave që thuhen, shkruhen ose pranohen si pjesë normale e diskursit në Britaninë e sotme janë gjëra që [para Brexit] do të kishin qenë krejtësisht të papranueshme, krejtësisht qesharake, krejtësisht të turpshme.”
Në intervistë, Rama shpjegoi edhe pse Shqipëria ka rënë dakord me një marrëveshje të ngjashme me Italinë e Giorgia Melonit. Ai theksoi se kjo nuk mund të krahasohet me kërkesat britanike, për shkak të lidhjes historike dhe emocionale të veçantë mes dy vendeve.
“Që nga dita kur regjimi brutal stalinist i Shqipërisë u shemb në vitin 1991, Italia i ka qëndruar pranë vendit tim,” tha Rama. “Praktikisht, ne jemi një vend i përbërë nga dy vende të pavarura… Italia ka qenë aty për ne në çdo moment të errët dhe situatë të vështirë që nga dita që dolëm nga ferri i të qenit Koreja e Veriut e Evropës,” shtoi ai.
“Ne kemi një pikë të dobët për Italinë, kështu kur Italia na kërkon diçka, ne themi po, pikë.”