Rama për SPAK: Pse nuk thirri Dumani ndonjë politikan gjithë ato vite që ishte prokuror?

Kryeministri Edi Rama ka folur mbi punën e kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, duke ngritur pikëpyetje mbi rolin e tij si prokuror para ngritjes së Strukturës së Posaçme.

Në një deklaratë të bërë gjatë një aktiviteti publik, Rama theksoi se Dumani nuk kishte fuqinë për të hetuar politikanë përpara krijimit të SPAK, pasi “shpatën e drejtësisë e mbante pushteti politik”.

“Altin Dumani ka respektin dhe solidaritetin tonë për punën që bën, por edhe për sulmet që ka marrë familjarisht. Ka qenë aty si prokuror prej vitesh, por pse nuk thirri asnjë politikan? Pse nuk doli ndonjë gjykatës të thoshte ‘bjerë këtu Duman, se do ta gjykoj’? Zero! Jo vetëm që nuk ishin hetuar, por as nuk ishin thirrur. Nuk kishte shpatën Altini, por e kishte pushteti politik”, u shpreh Rama.

Sipas tij, situata në drejtësi ishte e kalbur dhe e lidhur me pushtetin politik, ndërsa theksoi se reforma ka ndryshuar balancat, duke i dhënë SPAK fuqinë e duhur për të hetuar dhe ndjekur penalisht çështje të rëndësishme.

“Drejtësia duhet të mbajë shpatën e saj”

Rama theksoi se sot, pavarësia e drejtësisë është një realitet dhe se hyrja në Bashkimin Evropian është shpëtimi për të garantuar një sistem të pavarur gjyqësor.

“Shpatën e zonjës së drejtësisë nuk e ka pasur drejtësia shqiptare, peshoren jo e jo, peshoren edhe sot e ka të lëkundur. Sytë e mbyllur nuk i kanë akoma, por ama prokuroria, duke nisur nga SPAK, shpatën e ka të veten, dhe ky është vetëm vullnet i yni”, tha kryeministri.

Ai paralajmëroi gjithashtu se ka ende tentativa për të ndikuar në SPAK dhe institucione të tjera të drejtësisë, duke iu referuar sulmeve ndaj kësaj strukture dhe përpjekjeve për ta dobësuar.

“Po vjen 11 maji dhe ne i themi shqiptarëve që shpatën ta ketë drejtësia dhe të mos vijë ta marrë pushteti politik”, përfundoi ai.