Rama për socialistët e arrestuar: Si çdo pyll që ka derrat e vet, edhe PS ka individë që i përkasin drejtësisë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se pa vullnetin e Partisë Socialiste, drejtësia në Shqipëri nuk do të çlirohej nga ndikimi i pushtetit politik. Duke komentuar mbi rastet e socialistëve të arrestuar apo nën hetim, ai u shpreh se PS nuk është e përjashtuar nga individë që kanë shkelur ligjin.

“Si çdo pyll që ka derrat e vet, edhe PS ka individë që për fat të keq i përkasin drejtësisë dhe jo rrugës së Partisë Socialiste,” tha Rama. Ai theksoi se nuk duhet parë si faj i PS-së fakti që drejtësia po vepron ndaj individëve të caktuar, por përkundrazi si një tregues se institucionet tashmë po funksionojnë të pavarura.

Sipas Ramës, Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj në luftën kundër korrupsionit, dhe kjo është një nga arsyet kryesore pse vendi ka avancuar në procesin e integrimit evropian.