Rama për rrëzimin e 20 masave të sigurisë në UBT: Fajtorët s’do shpëtojnë, por jeta universitare nuk mund të merret peng
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale për të rrëzuar 20 nga 24 masat e sigurisë në Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT). Ai e ka konsideruar këtë zhvillim si një lehtësim, duke theksuar se nuk cenohet aleanca strategjike me Universitetin BOKU të Vjenës.
Sipas Ramës, hetimi për shkeljet e pretenduara tre vite më parë do të vijojë pa pengesa, por pa cenuar jetën personale dhe familjare të atyre që mund të jenë të pafajshëm. Ai siguroi se prokurorët dhe gjykatësit mund të kryejnë detyrën e tyre, ndërsa fajtorët nuk kanë mundësi të shpëtojnë nëse kanë prekur fondet publike.
“Jeta universitare nuk merret peng, reputacioni i universitetit nuk mbytet në llumin mediatik dhe stabiliteti psikologjik i komunitetit akademik nuk lëndohet, ndërkohë që drejtësia vazhdon qetësisht punën e saj,” theksoi Rama.
Ai nënvizoi rëndësinë e luftës kundër korrupsionit, por edhe respektimin e normave demokratike të drejtësisë europiane. Kryeministri përsëriti se pushteti politik është tërhequr nga fusha e drejtësisë dhe se SPAK dhe Gjykata Speciale kanë të gjithë mbështetjen e qeverisë për të bërë punën e tyre.
“Drejtësia e re e Shqipërisë 2030 në BE duhet të jetë si statuja e Zonjës së Drejtësisë. Për të gjithë. Gjithnjë,” përfundoi Rama.