Në konferencën ndërkombëtare për reformën e sistemit të pensioneve, kryeministri Edi Rama ka ironizuar premtimet e opozitës për rritje të pensioneve, duke i cilësuar si të pabazuara dhe të rrezikshme. Sipas tij, premtimi i gjithçkaje të dëshirueshme dhe të imagjinueshme është i papërgjegjshëm dhe mund të çojë drejt një krize të madhe.
Rama u shpreh:
“Të gjithë ata që nuk kanë asgjë në dorë, premtojnë gjithçka të dëshirueshme dhe të imagjinueshme. Por të premtojnë gjithçka për pensionet, është t’i hapësh luftë fakteve dhe të hidhesh symbyllur drejt një humnere. Do të thotë t’i kthesh kurrizin ekspertëve dhe të bësh një festë sot, për të përballur katastrofën nesër. Ne nuk mund ta bëjmë këtë.”
Ai theksoi se qeveria aktuale ka ndjekur një politikë të qëndrueshme për sistemin e pensioneve, duke rritur bonuse për pensionistët. Rama kujtoi se më parë ishte dhënë vetëm një bonus në fundvit, ndërsa tani pensionistët përfitojnë dy herë në vit, në fund të vitit dhe në pranverë, duke i lidhur këto bonuse me rritjen ekonomike të vendit.
Kryeministri përmendi gjithashtu përmirësimet në sistemin e deklarimit të pagave dhe luftën ndaj informalitetit, duke theksuar se ka ende hapësira të mëdha për rritjen e të ardhurave të Fondit të Sigurimeve Shoqërore.
Në fund, Rama kritikoi ish-qeverinë e drejtuar nga Sali Berisha, duke e akuzuar se ka dashur të bëjë reforma të pensioneve pa dhimbje, çka ka sjellë një situatë të vështirë për vendin në vitet në vijim.
“Shqipëria ka përjetuar një dhimbje afatgjatë në sistemin e pensioneve sepse ata që ishin para nesh donin një reformë pa dhimbje. Ne nuk mund ta përsërisim atë gabim. Duhet të ndërhyjmë me kujdes, pa prishur themelet e sistemit,” përfundoi Rama.