Rama për kampet e emigrantëve: Jemi besnikë ndaj martesës me Italinë, nuk do ketë marrëveshje të tjera të ngjashme”

Gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin britanik Keir Starmer, Edi Rama u shpreh qartë se Shqipëria ka një marrëveshje unike me Italinë për kampet e emigrantëve dhe nuk do të pranojë oferta të tjera nga vende të tjera.

Ndërsa Starmer theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për kontrollin e emigracionit dhe shtimin e qendrave të kthimit, duke vlerësuar punën e përbashkët për frenimin e emigracionit të paligjshëm.

Kam qenë i qartë qysh prej ditës së parë që kur nisëm procesin me Italinë, ishte një marrëveshje e vetme me Italinë për shkak marrëdhënies sonë të veçante por edhe për shkak të situatës gjeografike që është mjaft kuptimplotë. Për të qenë shumë i sinqertë me ju, janë kanë kërkuar shumë vende dhe u kemi thënë jo. Jemi besnikë ndaj martesës me Italinë dhe pjesa tjetër është dashuri.“, tha kryeministri.

Ndërsa kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar u shpreh “Po e diskutojmë si çështje me një sërë shtetesh, e shoh si çështje novatore dhe të rëndësishme, është në përputhje me punën që ne kemi bërë edhe për zbatimin e ligjit, marrëveshjet që kemi për kthimet. Ajo që dua të bëj është të shtoj këto qendra kthimi. Qeveria e mëparshme ka bërë një eksperiment me kufijtë e hapura dhe nuk kanë ekzaminuar kërkesat për azil. Shumë prej tyre mbahen sepse nuk merrnin përgjigje, këto ishin paratë e tatimpaguesit dhe kjo është situata skandaloze që ne kemi gjetur. Puna që kemi bërë me Shqipërinë është jetike. Më vjen mirë që kemi përveshur mangët dhe kemi kthyer 24 mijë persona që kanë ardhur në mënyrë të paligjshme.