Rama për Fatos Nanon: E futi në burg “bufi i kënetës”, gati sa nuk e vranë sepse zgjodhi pajtimin dhe jo hakmarrjen

Kryeministri Edi Rama ka folur për ish-liderin e Partisë Socialiste, Fatos Nano, gjatë rubrikës “Sy më sy”. Ai e cilësoi arrestimin e tij si një burgosje politike, duke akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha, të cilin e quajti “bufi i kënetës”, për vendosjen e tij pas hekurave me ndihmën e prokurorëve të kohës.

Sipas Ramës, Partia Socialiste u rikthye në pushtet në vitin 1997 me Fatos Nanon si kryeministër, por Nano nuk zgjodhi hakmarrjen, gjë që sipas tij e vuri në rrezik.

“Gati sa nuk e vranë në këtë godinë ku jam unë, sepse zgjodhi rrugën e pajtimit dhe jo të hakmarrjes,” – tha Rama, duke nënvizuar se Nano kaloi një periudhë të vështirë për shkak të vendimeve të tij politike.

Reformaw në Drejtësi, sipas Ramës, ishte zgjidhja

Rama theksoi se në kushtet e mungesës së një sistemi të drejtësisë së pavarur, e vetmja zgjidhje për një forcë politike ishte realizimi i Reformës në Drejtësi. Ai argumentoi se kjo reformë i dha drejtësisë pavarësinë e nevojshme, duke krijuar një ndryshim thelbësor nga sistemi i mëparshëm.

“Nëse nuk do të kishte qenë reforma në drejtësi, ne do të duhet të përsërisnim ato që kanë bërë ata më përpara, por ne nuk jemi ata,” – u shpreh Rama, duke e cilësuar këtë ndryshim si një dallim mes “BE-së dhe bajraktarizmit ballkanik”.

Kryeministri nënvizoi se korrupsioni nuk është vetëm problem i një force politike, por i gjithë shoqërisë dhe të gjitha pjesëve të sistemit. Ai theksoi se për ta ndryshuar këtë realitet, duhej një sakrificë politike, e cila sipas tij e bëri të mundur pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.