Rama për emigrantët: Marrëveshje vetëm me Italinë, për Spanjën nuk ka kuptim

Gjatë vizitës në Madrid, kryeministri Edi Rama ka folur për çështjen e emigrantëve, duke theksuar se marrëveshja me Italinë për strehimin e përkohshëm të refugjatëve në Shqipëri është një akt ndihme dhe bashkëpunimi mes dy vendeve mike.

I pyetur nga një gazetar i “Europa Press” për refuzimin e drejtësisë italiane për zhvendosjen e emigrantëve në Shqipëri, Rama u shpreh:
“Pyetja duhet t’i drejtohet palës italiane. Për ne, marrëveshja është e thjeshtë. Italia na kërkoi ndihmë dhe ne jemi të gatshëm, siç na kanë ndihmuar ata në të shkuarën, veçanërisht gjatë tërmetit të vitit 2019.”

Në lidhje me mundësinë e një marrëveshjeje të ngjashme me Spanjën, Rama e konsideroi një skenar të pamundur për shkak të distancës gjeografike:
“Ne jemi të lidhur nga deti me Italinë, ndaj ka kuptim. Emigrantët ndalojnë në Shqipëri për shkak të afërsisë. Nuk mendoj se një marrëveshje me Spanjën do të ishte e mundur.”

Rama shtoi se sfida e emigracionit nuk duhet të kthehet në një garë për të treguar “muskuj” ndaj refugjatëve:
“Evropa duhet të gjejë një politikë të përbashkët për të trajtuar emigracionin. Nga njëra anë, duhet të luftojmë emigracionin e paligjshëm, por nga ana tjetër, Evropës i duhen më shumë emigrantë për shkak të rënies demografike.”

Ai përfundoi duke theksuar se një qasje gjithëpërfshirëse ndaj vendeve të origjinës së emigrantëve do të ishte zgjidhja më e mirë për këtë krizë.