Rama për arrestimet në radhët e PS-së: Jemi aq të zotë sa kapim edhe minjtë tanë, jo vetëm të komshiut

Kryeministri Edi Rama ka komentuar arrestimet e fundit në radhët e Partisë Socialiste, duke theksuar se kjo nuk është arsye për të ulur kokën, por për ta mbajtur edhe më lart.

Gjatë një takimi elektoral, ai u shpreh se shqiptarët që do të votojnë më 11 maj nuk duhet të fokusohen te “ngjyra e maces”, por te fakti që “macja kap minjtë”, duke nënkuptuar se PS është e vetmja forcë që lufton korrupsionin, edhe brenda radhëve të saj.

“Nuk ka lidhje çfarë ngjyre ka macja, unë them që të gjithë shqiptarët që votojnë më 11 maj nuk duhet të shohin çfarë ngjyre kemi ne, por të ndjekin porosinë: ‘Mua s’më intereson çfarë ngjyre ka macja, por që macja të kapë minjtë’. Dhe minjtë në këtë vend i kapim vetëm ne, madje jemi aq të zotë sa kapim edhe minjtë tanë, jo vetëm të komshiut,” – u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se opozita dhe kundërshtarët politikë përpiqen ta përdorin këtë situatë për ta sulmuar Partinë Socialiste, por ai e konsideron këtë si një arsye për të qëndruar më krenarë.

“Këtë neve këta na e këndojnë si një gjë për të cilën duhet të ulim kokën, por ne duhet ta mbajmë kokën edhe më lart nga çfarë e kemi mbajtur zakonisht, edhe për hir të historisë që po shkruajmë së bashku,” – tha Rama.

Deklarata e kryeministrit vjen në një kohë kur disa zyrtarë dhe eksponentë të Partisë Socialiste janë vënë përballë drejtësisë, duke shkaktuar reagime të forta politike dhe publike.