Rama për akuzat dhe fshirjen e fotove me Alex Soros: Jam krenar për miqësinë tonë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj akuzave lidhur me fshirjen e fotove me Alex Soros, duke i quajtur ato “përralla dhe histori propagandistike” që synojnë të krijojnë lidhje të pavërteta. Ai e ka përshkruar Alex Sorosin si një mik të tij dhe është shprehur krenar për miqësinë që ka me të, duke shtuar se ka miq edhe nga palë të tjera që nuk janë dakord me të dhe fton të tjerët të mos bëjnë spekulime.

“Unë Alex Sorosin e kam pasur mik, të atin e kam pasur mik dhe jam shumë krenar për atë miqësi. Përrallat dhe historitë propagandistike që kërkojnë të lidhin gjëra që nuk kanë lidhje fare, mua nuk më impresionojnë,” – tha Rama, duke shtuar se ka shumë miq që janë kundërshtarë mes tyre.

Ai gjithashtu e ka mbrojtur marrëdhënien me Alex Soros, duke i kërkuar qytetarëve që të lënë mënjanë historitë e tjera të paqena dhe t’i lejojnë amerikanët të zgjidhin problemet e tyre mes njëri-tjetrit.

Në fund, ai tha se ka një koleksion të pasur fotogafish dhe se historitë që përpiqen të krijojnë lidhje mes njerëzve të ndryshëm janë të pavlera. “Mos gënjeni veten. Këto historitë me kukulla e mjeshtri kukullash mos i hani,” – përfundoi ai.