Rama pas dorëheqjes së drejtorëve në Vlorë: Vetëpastrimi i brendshëm është domosdoshmëri – Pasdite në Fier dhe Durrës

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas dorëheqjeve të njëpasnjëshme të drejtorëve në Vlorë, duke e cilësuar këtë si pjesë të një procesi të domosdoshëm vetëpastrimi brenda strukturave të Partisë Socialiste.

Gjatë një komunikimi, Rama tha se pasdite do të zhvillojë takime në Fier dhe Durrës, për të vijuar me procesin e rivlerësimit dhe rinovimit të strukturave lokale.

“Sot pasdite jemi në Fier dhe pastaj në Durrës, ku do të vazhdojmë të njëjtën përpjekje. Një vetëpastrim dhe vetëqetësim i brendshëm i strukturës. Domosdoshmëri pas një periudhe të gjatë qëndrimi në të njëjtat pozicione të të njëjtëve njerëz, por edhe si rrjedhojë e domosdoshmërisë për ta parë realitetin e qyteteve tona të mëdha me sy të freskët”, tha Rama.

Ai shtoi se është e nevojshme një energji e re për të vijuar kapitullin e mbështetjes që qytetarët kanë dhënë në zgjedhjet e fundit lokale.