Rama paralajmëron socialistët pas prangosjes së ish-zyrtarëve të PS-së nga SPAK: Kush devijon nga rruga të shkojë…

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi elektoral në Shkodër, ka paralajmëruar socialistët se kush devijon nga rruga e partisë dhe bën punë jo të ndershme mbas shpinës së tij, duhet të përballet me pasojat dhe të shkojë aty ku ka vendin.

Deklarata e tij erdhi pas arrestimeve të disa ish-zyrtarëve të PS-së nga SPAK, të cilat Rama i komentoi si pjesë të një procesi të domosdoshëm, duke mbështetur gjithmonë Prokurorinë e Posaçme. Kryeministri theksoi se PS ka një vijë të qartë dhe se ai do të mbështesë SPAK në çdo hap të këtij procesi.

Rama gjithashtu sulmoi opozitën, duke i akuzuar se po përdorin arrestimet e socialistëve për të bërë politikë, dhe shtoi se kjo është normale për ata që nuk kanë mundësi të luftojnë me PS-në në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ai u shpreh se ky proces është historik dhe se duhet mbështetur deri në fund, pavarësisht lajthitjeve që mund të ketë.

Në fund, Rama theksoi se kush është pjesë e PS për qëllimin e përbashkët është i nderuar, ndërsa ata që devijojnë nga kjo rrugë dhe përdorin fuqinë e popullit për interesa personale, duhet të përballen me pasojat dhe të largohen nga partia.