Rama: Pa mua dhe PS nuk ka SPAK, Veliaj nuk është i pandehur

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nuk është i pandehur, pavarësisht masës së sigurisë “arrest me burg” të dhënë ndaj tij një ditë më parë. Në komunikimin e tij në rubrikën “Sy më sy”, Rama tha se Prokuroria e Posaçme (SPAK) nuk do të ekzistonte pa të dhe pa Partinë Socialiste.

“Nëse nuk mbroni Edi Ramën në betejën e tij bashkë me PS, harrojeni SPAK. Nuk kemi SPAK. Pa Ramën dhe PS nuk ka SPAK. Nuk do të kishte as sot dhe as nuk do të ketë”, u shpreh kryeministri.

Rama theksoi se statusi i Erion Veliajt nuk është ai i të pandehurit, pasi sipas tij, nuk ka prova të mjaftueshme për të kërkuar hapjen e gjyqit. Ai sqaroi ndryshimin mes të dyshuarit dhe të pandehurit, duke thënë se një i dyshuar është person për të cilin prokuroria nuk ka ende prova të plota për gjykim.

“I dyshuari është dikush për të cilin prokurori nuk ka prova të mjaftueshme për ta dërguar në gjyq. Ndërsa i pandehuri është dikush që ndaj tij prokuroria ka prova dhe kërkon gjykimin e çështjes”, shtoi Rama.

Kryeministri i qëndroi sërish qëndrimit se ndaj Veliajt nuk ka prova për të justifikuar arrestimin e tij.