Rama optimist për anëtarësimin në BE: Jemi ambiciozë të mbyllim negociatat deri në vitin 2027, KE është krah nesh

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria është e vendosur të mbyllë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian brenda vitit 2027. Në një konferencë për shtyp pas Samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë, Rama theksoi se ky proces kërkon përkushtim dhe rezultate të prekshme.

“Ky format nuk ka të bëjë direkt me zgjerimin e BE-së apo procesin e anëtarësimit, por siç dëgjuat dje presidentin e Këshillit Europian, ne jemi në rrugën e duhur dhe duhet të bëjmë atë që na takon,” tha Rama. Ai shtoi se Komisioni Europian është krah Shqipërisë në këtë rrugëtim dhe se vendet anëtare janë të gatshme të vëzhgojnë progresin e vendit.

“Mendoj se mund ta bëjmë. KE është krah nesh dhe shtetet anëtare janë për të na vëzhguar e për të siguruar që gjithçka bazohet në rezultate. Ky është një moment fantastik për bashkimin dhe duhet ta shfrytëzojmë për të çuar më tej procesin,” vijoi Rama.

Kryeministri shqiptar nënvizoi se është optimist për ecurinë e vendit drejt BE-së dhe vlerësoi mbështetjen e kryeministres së Danimarkës, Mette Frederiksen, duke theksuar se ky proces kërkon angazhim të përditshëm për rezultate konkrete.